Shtatzënia / Lindja

Gratë shtatzëna nuk duhet të paguajnë vetë për kontrollimet e nevojshme. Gjithashtu edhe kostot e lindjes do të mbulohen nga sigurimi bazë. Para dhe pas lindjes, prindërit mund të marrin këshilla falas.

Shërbimet, shtatzënia dhe lindja

Shërbimet mjekësore në lidhje me shtatzëninë ose lindjen mbulohen nga sigurimi shëndetësor bazë (Grundversicherung). Këto përfshijnë ekzaminime të rregullta kontrolluese para lindjes, vetë lindjen dhe kujdesin e nevojshëm pas saj. Gratë shtatzëna duhet të paraqiten në fillim te një doktoreshë, një doktor ose një mami. Spitale dhe mamitë ofrojnë gjithashtu kurse përgatitore për lindjen (Geburtsvorbereitungskurs). Ekzistojnë kurse të veçanta për emigrantet. Lindja mund të bëhet në spital, në një shtëpi lindjesh ose në shtëpi.

Pas lindjes

Është e zakonshme që në Zvicër pas lindjes prindërit të këshillohen. Për këtë qëllim ka Këshillimore për Nëna dhe Etër (Mütter- und Väterberatungsstelle). Këto ofrojnë informata për zhvillimin, ushqimin dhe kujdesin e foshnjës. Këshillimet janë falas. Mjeku, mjekja ose mamia informojnë për kontrollet e nevojshme pasuese për nënën dhe foshnjën. Është shumë e rëndësishme që brenda tre muajve pas lindjes fëmija të sigurohet kundër sëmundjeve dhe aksidenteve (sigurimi bazë, sigurimi aksidental). Është më mirë që sigurimi të bëhët para lindjes.

Ndërprerja e shtatzënisë

Në Zvicër, aborti është i lejuar gjatë 3 muajve të parë të shtatzënisë. Pas përfundimit të javës së 12 të shtatzënisë, aborti është i mundur vetëm nëse shëndeti fizik dhe/ose mendor i gruas është në rrezik. Kjo duhet të vlerësohet nga një mjeke ose mjek. Ai që e mendon abortin, ka të drejtë të merr këshilla falas. Vajzat e reja nën 16 vjeç duhet të drejtohen në një qendër këshilluese të specializuar. Kostot për të gjitha shërbimet mjekësore paguhen nga sigurimi bazë shëndetësor.