Përkujdesja për fëmijët

Shumë baba dhe nëna punojnë edhe pas lindjes së fëmijës. Prandaj, në kantonin Aargau ka oferta të veçanta për përkujdesjen e fëmijëve. Shumica janë me pagesë.

Çerdhet ditore për fëmijë

Në çerdhe ditore për fëmijë (Kinderkrippen), fëmijët marrin kujdes gjatë gjithë ditës. Shumica e ofertave janë të orientuara për fëmijë nga 3 muaj deri në moshën shkollore. Disa çerdhe për fëmijë ofrojnë gjithashtu kujdes për fëmijët e shkollave (para dhe pas shkollës si dhe në mesditë). Duke qenë se listat e pritjes janë zakonisht të gjata, prindërit duhet t'i paraqesin fëmijën e tyre shumë herët për këtë shërbim. Çmimet ndryshojnë në varësi të çerdheve për fëmijë dhe një pjesë e tyre paguhet nga komuna ku banoni. Çerdhet për fëmijë ose komuna ku banoni iu informon për mundësitë e regjistrimit dhe çmimet.

Grupet e lojërave

Shumë fëmijë, para hyrjes në shkollë vizitojnë një grup lojërash (Spielgruppe). Atje fëmijët prej moshës rreth 3 vjeçare takohen pa prindërit e tyre për të luajtur dhe bërë punëdore së bashku nën përkujdesjen e një kujdestareje të trajnuar. Vizita në grupin e lojërave është vullnetare. Veçanërisht për fëmijët që nuk flasin gjermanisht në shtëpi, grupi i lojërave është një mundësi e mirë për të ardhur në kontakt me gjuhën gjermane. Kjo lehtëson hyrjen në shkollë. Grupet e lojërave gjenden në pothuajse çdo komunë, komuna ku banoni jep informata shtesë.

Struktura ditore / Dreka

Shkollat pjesërisht ofrojnë përkujdesje jashtë kohës së mësimit. Në shkollat me strukturë ditore, fëmijët mund të qëndrojnë në shkollë gjatë drekës dhe drekën ta hanë në shkollë. Pas shkollës, ata mund t'i bëjnë detyrat e shtëpisë nën përkujdesje. Këto oferta duhet të paguhen nga prindërit. Tarifat shpesh varen nga të ardhurat e prindërve. Fëmija mund të përfitojë nga oferta për një ose më shumë ditë. Strukturat ditore nuk duhet të ngatërrohen me shkollat ditore (Tagesschulen), ku fëmijët duhet të marrin pjesë në programin e gjithë ditës për 5 ditë në javë.

Familjet ditore

Familjet ditore (Tagesfamilien) janë familje që marrin fëmijë në kujdesje gjatë kohëve të caktuara të ditës (kryesisht gjatë gjithë ditës). Kjo ofertë kujdesi për fëmijët është e dëshiruar nga prindërit që janë në punë. Ka agjensi ndërmjetësuese që mund të ndihmojnë në kërkimin e një familjeje të përshtatshme për kujdesin ditor të fëmijëve dhe informojnë për tarifat tipike.

Kujdestare për foshnja / Situata emergjente

Në Zvicër, të rinjtë shpesh angazhohen si kujdestarë të fëmijëve në mbrëmje ose në fundjavë. Kryqi i Kuq Zviceran (SRK) Aargau mban një listë të agjensive për kujdestarët e fëmijëve që kanë ndjekur një kurs. Për punën e tyre, të rinjve natyrisht iu paguhen para. Në situata emergjente të padëshirueshme, Kryqi i Kuq Zviceran (SRK) në kantonin Aargau ofron gjithashtu shërbim kujdesi emergjent për fëmijët. Shembull kur njëri prind duhet të shkojë në spital dhe askush tjetër nuk mund të përkujdeset për fëmijën. Kujdestaria kushton dhe disa sigurime shëndetësore i mbulojnë shpenzimet.