Portret i shkurtër

Aargau është një nga 26 kantonet (shtete anëtare) të Zvicrës. Krahasuar me numrin e banorëve, ky është kantoni i katërt më i madh. Tipike për Aargau është shumëllojshmëria rajonale e tij.

Numra dhe fakte

Kantoni Aargau ka më shumë se 700,000 banorë, nga të cilët pothuajse një çerek janë shtetas të huaj. Kantoni me sipërfaqe prej 1404 km² përfshin 11 rrethe dhe më shumë se 200 vendbanime (komuna). Kryeqyteti është Aarau. Gjuha zyrtare është gjermanishtja. Kantoni përbëhet nga shumë rajone të decentralizuara, secili me kryeqendren e vet. Rajonet kryesore janë Aarau, Badeni, Bruggi, Wohleni, Bremgarten, Zofingeni dhe Rheinfeldeni. Rajone të veçanta ndryshojnë në peizazh, kulturë dhe ekonomi.

Historia

Kantoni Aargau u themelua në vitin 1803. Territoret që u bashkuan në Aargau nga perandori francez Napoléon Bonaparte ishin shumë të ndryshme politikisht, konfesionalisht dhe ekonomikisht. Kjo ndjehet edhe sot. Deri rreth vitit 1900, bujqësia ishte shumë e rëndësishme për kantonin. Me industrializimin, kjo ndryshoi gradualisht. Megjithatë, edhe sot, kantoni Aargau është ende i ndikuar nga jeta rurale dhe ka një industri me korporata ndërkombëtare të mëdha dhe shumë ndërmarrje të vogla dhe mesme. Që nga Lufta e Dytë Botërore, shumë emigrantë janë vendosur në kanton, të cilët kanë dhënë një kontribut vendimtar në ekonomi dhe ende, edhe sot, po e japin.

Zakonet dhe traditat

Në rrethe dhe komuna të ndryshme të kantonit ka tradita dhe zakone të ndryshme. Nuk ekziston një zakon i njëjtë argauez për shkak të diversitetit historik të kantonit. Në qytetet më të mëdha Aarau, Baden, Brugg, Lenzburg ose Zofingen, festat e të rinjëve në fillim të verës janë kulminacioni në kalendarin kulturor. Rrjedha e këtyre festave ka mbetur pothuajse e pandryshuar që prej shekujsh. Edhe Karnevali në dimër ka një vlerë të lartë në disa rajone. Në shumë fshatra dhe zona rurale ka zakone të frytshme në pranverë dhe festa të falenderimit të të korrave në vjeshtë. Këtyre iu shtohen edhe festat e ndryshme të krishtera.

Aargau -"Rüebliland"

Aargau njihet si "Rüebliland" (vendi i karotave). Nuk dihet saktësisht pse Aargau e ka marrë këtë emër, por nuk ka të bëjë fare me kulturën ose konsumin e karotave. Torta tipike e Aargau me karota (Rüeblitorte) është shumë e njohur në gjithë Zvicrën. Në Aarau, një herë në vit mbahet një treg i madh karotash (Rüeblimarkt).